Dushi: Qeveria po e mban peng buxhetin e Prishtinës, do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër pasi buxheti i Kryeqytetit sërish nuk është përfshirë duke e cilësuar situatën si bllokadë të qëllimshme politike ndaj Prishtinës.

Sipas Dushit, kjo është hera e radhës që buxheti i Komunës lihet jashtë, ndërsa përgjegjës për këtë ai e bën ministrin Hekuran Murati, për të cilin thotë se po vepron me motive politike në mbështetje të kryeministrit Albin Kurti.

“Prap e njëjta skemë: bllokadë pa asnjë arsye ligjore, por me një qëllim të qartë – ndëshkimin e Kryeqytetit dhe qytetarëve të tij”, ka deklaruar Dushi.

Ai thekson se kjo nuk është një vonesë administrative apo procedurale, por një qasje e pastër politike që synon bllokimin e projekteve zhvillimore dhe pengimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Dushi ka paralajmëruar se Komuna e Prishtinës është e gatshme të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të siguruar mjetet që i takojnë dhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj, siç u shpreh ai, “çdokujt që në abuzim flagrant me pushtetin synon ta mbajë peng Prishtinën”.

“Prishtina nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime të tilla. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë zhvillim, jo bllokada e pengesa”, ka përfunduar Dushi.

Çështja e buxhetit të Kryeqytetit ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës duke e kthyer në një nga temat më të debatueshme politike në vend. /Kosova.info/


Go to TOP