Pamje nga aksioni i IQMT-së: 45 kg ari të konfiskuar në Pejë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në Pejë, në koordinim me Prokurorinë, Policinë dhe Doganën e Kosovës, ka konfiskuar 45 kg ari gjatë një aksioni kundër tregtimit të paligjshëm të metaleve të çmuara, duke ndaluar mallin e paverifikuar dhe sekuestruar punime pa dokumentacion të rregullt.

Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, theksohet se gjatë kontrollit, inspektorët kanë evidentuar shkelje që kanë rezultuar me ndalim të përkohshëm dhe sekuestrim të mbi 45 kg ari. Mbi 20 kg ari u ndalua pasi ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, ndërsa mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara u sekuestruan për mungesë dokumentacioni mbi prejardhjen e tyre.

IQMT thekson se tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim dhe dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe paralajmëron se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa ndaj çdo parregullsie do të merren masa rigoroze sipas ligjit. /Kosova.info/

Go to TOP