Ambasada Gjermane: Frank Schwabe viziton Kosovën në një moment historik
Ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se Sekretari Parlamentar i Shtetit i Ministrisë Federale Gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Frank Schwabe, po qëndron për vizitë në Kosovë “në një moment veçanërisht historik”.
Sipas njoftimit, vizita e tij përkon me konstituimin e Kuvendit të ri dhe formimin e Qeverisë.
“Vizita e tij përkon me konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë — ngjarje të cilat ai pati mundësi t’i ndjekë nga afër duke marrë pjesë në të dy seancat plenare”, thuhet në njoftim.
Ambasada bën të ditur se Schwabe ishte ndër të parët që e uroi Kryeministrin Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Schwabe u takua edhe me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gervalla-Schwarz, si dhe me zv kryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën.
“Frank Schwabe u takua me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gervalla-Schwarz, si dhe me Glauk Konjufcën, vetëm disa orë para emërimit të tij si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. /Kosova.info/
