Haemmerle, kampion olimpik
Skiatori austriak Alessandro Haemmerle është konfirmuar kampion olimpik në disiplinën e snowboard cross për meshkuj në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.
Finalja dhuroi emocione të mëdha, pasi Haemmerle e mposhti kanadezin Eliot Grondin me vetëm 0.03 sekonda diferencë, në një garë tejet të ngushtë deri në metrat e fundit. Grondin u detyrua të kënaqet me medaljen e argjendtë, duke qenë shumë pranë që t’i siguronte Kanadasë medaljen e parë të artë në këtë disiplinë në këto Lojëra.
Medalja e bronztë i takoi një tjetër austriaku, Jakob Dusek, duke kompletuar kështu një paraqitje shumë të suksesshme për Austrinë në këtë finale spektakolare.
