Qytetarët përcjellin nga afër procesin ndaj krerëve të UÇK-së
Hap pas hapi drejt kafeneve, aty ku sot nuk pihet vetëm kafe, por ndiqet një proces gjyqësor shumë i rëndësishëm për vendin.
Në çdo tavolinë, sy të ngulitur në ekran, biseda me zë të ulët por me interesim të madh.
Më shumë se kaq, sot dëgjohet vetëm zëri i mbrojtjes së krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, për qytetarët e Drenasit është një moment që prek plagët, sakrificën dhe krenarinë kolektive.
Derisa urojnë që ata të kthehen në shtëpi, thonë se janë në gjendje të bëjnë gjithçka që ata të jenë të lirë.
“Dhasht zoti që këta të vinë në shtëpi dhe jam në gjendje çmos me bo me dhanë gjithçka vetëm që ata të kthehen në shtëpi”, ka thënë Elhami Rrukiqi nga Drenasi.
Elhamiu që nga fillimi i procesit e deri më tani është në dijeni për gjithçka që ka ndodhur në Dhomat e Specializuar .
E duke qenë bashkëluftëtar i krerëve që sot gjenden në Hagë, ai thotë se nga ajo çka ka parë gjykimi nuk është i drejtë.
“Nuk janë tu u gjykuar vetëm individët por po gjykohet e gjithë UÇK-ja dhe i gjithë populli shqiptarë. Po barazohet po këqyrin me barazua krimin me çlirimtarët, e kjo në botë nuk ndodhë askund vetëm në këtë gjykatë”, ka shtuar Rrukiqi.
Edhe të tjerë qytetarë shpresojnë në lirimin e tyre, por që askush nga ta nuk është i kënaqur me rrjedhën e këtij procesi.
“S’është ky gjykim bre burrë veç shkojnë njerëz dëshmojnë pa lidhje”, ka thënë Murtez Murtezi.
Mes shpresës për drejtësi dhe besimit në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, qytetarët thonë se do të vazhdojnë ta ndjekin nga afër çdo seancë, me dëshirën që fundi i këtij procesi t’i rikthejë ata në shtëpi.
