A i ka borxh Albin Kurti një ministri Radomir Dimiqit?
Shkruan: Rasim SMAJLAJ
Nëse Kosova do ta kishte një muze të paradokseve politike, një kënd i veçantë do t’i takonte patjetër raportit të Albin Kurtit me “serbin e mirë” dhe “serbin e keq”. Sepse këtë ndarje, në mënyrë kaq selektive, kaq teatrale dhe kaq personale, duket se vetëm Albini di ta bëjë. Të tjerët, po ta provojnë, do të gozhdohen publikisht si relativizues, tradhtarë ose naivë.
Dje patriot folklorik me flamur në shesh, sot kritik moral i gjithë spektrit politik, nesër – kush e di – ndoshta edhe i akuzuar për tradhti nga po ata që sot i duartrokasin. Kjo është lëvizja ciklike e Albinit: gjithmonë i pastër, gjithmonë i vetmi, gjithmonë i pagabueshëm.
E në këtë mozaik kontradiktash shfaqet Radomir Dimiq – serbi pro-kosovar, kundërshtar i hapur i Millosheviqit, kritik i pandalshëm i politikës shtetërore serbe kundër Kosovës, njeri që ka paguar kosto reale personale e profesionale për bindjet e tij. Një profil që, sipas logjikës së diskursit të Albin Kurtit, duhet të përfaqësojë “serbin e mirë”.
Por ja pyetja cinike, e thjeshtë dhe paksa qesharake:
A e meriton Radomir Dimiq një vend në qeverinë e re të Kosovës? Apo “serbi i mirë” është i mirë vetëm për citate, konferenca dhe shembuj moralë, por jo për pushtet real?
Nëse Albin Kurti është serioz kur flet për dallimin mes Serbisë agresore dhe serbëve që i kanë rezistuar asaj; nëse lavdërimet për guximin politik e profesional të individëve si Dimiq nuk janë thjesht retorikë selektive – atëherë po, Kosova i ka borxh këtij njeriu më shumë se një falënderim simbolik.
Madje, me një dozë përulësie politike (një virtyt i rrallë), Albini do të duhej t’i siguronte Radomir Dimiqit së paku një post zëvendësministri. Jo si dekor multietnik, por si provë se parimet nuk vlejnë vetëm kur janë opozitë, por edhe kur janë pushtet.
Sepse ndryshe, rrezikojmë që “serbi i mirë” të mbetet vetëm një figurë retorike – e dobishme për fjalime, por e padëshiruar për vendimmarrje. Dhe kjo do të ishte jo vetëm hipokrizi politike, por edhe një shaka e hidhur për gjithë ata që kanë pasur guximin të dalin kundër regjimeve të tyre.
Në fund të fundit, nëse Albini di kaq mirë të dallojë serbin e mirë nga serbi i keq, le ta provojë këtë dallim aty ku ka më shumë peshë: në qeverisje.
