ShFMU “Pavarësia” proteston kundër dhunës ndaj mësimdhënësve, mësimi nis nga ora e tretë
Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë njoftuar opinionin publik se të martën, më 10.02.2026 duke filluar nga ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë, por dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet proces mësimor për shkak të mbajtjes së një proteste.
Sipas njoftimit, procesi edukativo-arsimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt. Ndërkaq, ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë mësimin normalisht, pa asnjë ndryshim në orar.
Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Organizatorët theksojnë se këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë seriozisht mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Po ashtu, bëhet e ditur se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla. Përmes kësaj proteste, Shoqata Sindikale, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve synojnë të ngrenë zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojnë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për parandalimin dhe trajtimin e tij me përgjegjësi. /Kosova.info/
