Berisha: Aktakuza e Speciales ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së është propagandë serbe, jo drejtësi
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës duke e cilësuar atë si të pabazuar dhe të motivuar politikisht.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se prokuroria ka kërkuar dënime që arrijnë në dekada burgimi, të cilat së bashku përbëjnë rreth dy shekuj, ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se, megjithëse është i bindur se drejtësia duhet të veprojë për çdo krim dhe ndaj kujtdo që e ka kryer atë, pas ndjekjes me vëmendje të procesit shumëvjeçar, sipas tij, nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që të faktojë krime nga të akuzuarit.
Berisha deklaroi se aktakuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, aleatë të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës, përfaqëson një ripërsëritje të shpifjeve të propagandës ultranacionaliste serbe dhe trillimeve të ish-prokurorit Vukçeviç, përfshirë akuzën e ashtuquajtur për “trafikim organesh”, të cilën ai e cilësoi si monstruoze dhe të pavërtetuar.
Në fund, Berisha i bëri thirrje Gjykatës që vendimet e saj të mos ndikohen nga akuza propagandistike që, sipas tij, tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare duke kërkuar që në emër të ligjit të konfirmohet pafajësia e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës. /Kosova.info/
