Pacolli kundër kërkesës për 45 vite burgim ndaj krerëve të UÇK-së: Qasje e padrejtë dhe e rrezikshme për drejtësinë
Behxhet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së prokurores për dënim me 45 vite burgim ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar atë si një qasje të padrejtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë.
Sipas Pacollit, një kërkesë e tillë rrezikon seriozisht të cenojë perceptimin e paanshmërisë së procesit gjyqësor dhe të dëmtojë besimin e publikut në një vendimmarrje të drejtë dhe të balancuar. Ai thekson se drejtësia dhe çdo kërkesë për një dënim eventual duhet të mbështeten në prova të qarta, në përgjegjësi individuale dhe në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare, si dhe të normave dhe standardeve universale.
Pacolli ka vënë në dukje se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës përbën një realitet historik dhe politik të pamohueshëm, i cili duhet të trajtohet brenda kontekstit të tij të plotë, e jo përmes qasjeve selektive që, sipas tij, devijojnë nga thelbi i drejtësisë.
Në fund, ai paralajmëron se një kërkesë për një dënim kaq të rëndë mund ta bëjë tribunalin të perceptohet si i pabesueshëm dhe i njëanshëm duke mos shërbyer në interes të zbardhjes së tragjedisë reale që ndodhi në Kosovë. /Kosova.info/
