Gjermani Philipp Raimund fiton medaljen e artë olimpike

Skitari gjerman Philipp Raimund është shpallur kampion olimpik në kërcim nga trampolina me ski, duke fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026.

Raimund në trampolinën normale në Predazzo ka realizuar dy kërcime dhe e ka mbyllur garën me 274.1 pikë.

Edhe pse nuk kishte fituar asnjëherë një garë të Kupës së Botës, Raimund e ka shfrytëzuar maksimalisht mundësinë e tij olimpike dhe ka qenë i saktë nga fillimi deri në fund.

Ai ka lënë pas të riun polak Kacper Tomasiak, i cili ka fituar medaljen e argjendtë me 270.7 pikë, duke siguruar edhe medaljen e parë olimpike për Poloninë në këto Lojëra.

Medalja e bronztë është ndarë mes zviceranit Gregor Deschwanden dhe japonezit Ren Nikaido. Të dy atletët e kanë thyer rekordin e trampolinës në Predazzo, me kërcime prej 107 metrash për Deschwanden dhe 106.5 metrash për Nikaidon.


Go to TOP