Juniku përkujton Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin ndër themelet e para të organizmit dhe rezistencës së armatosur duke i dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejtimin, besimin dhe idealin që më vonë u shndërrua në çlirim.
Kështu është shprehur kryetari i Junikut Ruzhdi Shehu në 29 vjetorin e rënies së tyre gjatë Akademisë përkujtimore të organizuar nga kjo komunë.
“29 vjet më parë këta bijë të shquar të kombit tonë ranë heroikisht duke shkruar me gjakun e tyre faqet më të ndritura të rezistencës shqiptare. Junikut si qytet i historisë dhe i qëndresës i takon nderi dhe përgjegjësia që këto figura t’i kujtojë gjithmonë me respekt por edhe t’i ruaj si udhërrëfyes për brezat e rinj. Liria nuk është dhuratë, ajo është amanet dhe amaneti i të rënëve kërkon përkushtim, unitet dhe punë të ndershme për shtetin tonë”, thotë Shehu.
“Ata mbeten shembulli më i mirë i një ideali të pathyeshëm dhe ne sot jemi mbledhur për të nderuar veprën e tyre. Por mund të imagjinoni se i nderojmë shumë më shumë duke punuar më mirë për atdheun, duke e forcuar shtetin tonë, duke qenë së bashku”, tha Fakete Hoxha, motra e Edmond Hoxhës.
Ajo ndërkaq bëri thirrje tek të gjitha institucionet që të kërkojnë lirimin e bashkëluftëtarëve të Zahirit dhe Edmondit të cilët sipas saj tash e 5 vjet po mbahen padrejtësisht në burgun e Hagës.

