Abdixhiku: Kuvendi i 31 janarit është mundësi për bashkim dhe forcim të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së LDK-së, ku pas një diskutimi të hapur dhe të përgjegjshëm është marrë vendim që Kuvendi i LDK-së të thirret më 31 janar.

Abdixhiku ka theksuar se Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës i partisë dhe se, sipas statutit dhe traditës demokratike të LDK-së, aty vendoset për çështjet më të rëndësishme të saj. Sipas tij, kjo është mënyra e veprimit të LDK-së: me rregull, transparencë dhe respekt për anëtarësinë.

“LDK i zgjidh çështjet e brendshme në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur”, ka deklaruar Abdixhiku duke nënvizuar se partia nuk ushqehet me tensione e gjuhë përçarëse, por zgjedh maturinë, qetësinë dhe dialogun e gjerë.

Ai ka shtuar se debati i brendshëm është i shëndetshëm, ndërsa përçarja pa debat dhe pa demokraci është e dëmshme për partinë. Sipas Abdixhikut, Kuvendi i 31 janarit nuk përbën krizë, por një mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave të LDK-së dhe për të dalë më të fortë nga ky proces.

Duke rikujtuar historinë e partisë, Abdixhiku ka thënë se LDK ka kaluar shumë sfida dhe gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj: demokracinë, dinjitetin dhe besimin në anëtarësi. Ai ka theksuar se edhe kësaj here, partia do të dalë më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme, pa i vënë interesat individuale mbi interesin e përbashkët.

“Në LDK nuk i ikim përgjegjësisë, as kur është e lehtë e sidomos kur është e vështirë”, ka deklaruar Abdixhiku duke shtuar se kjo parti është ndërtuar për shërbim dhe përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili individ.

Sipas tij, pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për betejat politike që e presin. /Kosova.info/

Go to TOP