Vetëm rinumërim, apo edhe rivotim? Përsëritje e zgjedhjeve?
Shkruan: Adriatik KELMENDI
Nëse tendenca paska qenë të vjedhet dhe të mashtrohet, atëherë si të besohet se kjo tendencë për vjedhje dhe mashtrim qenka ndalur vetëm te numërimi dhe evidentimi i votave?!
Shumë mirë që KQZ-ja vendosi që të gjitha votat të shkojnë në rinumërim.
Nëse ka pasur devijime në disa vendvotime, gjithsesi se lindin dyshime të bazuara se trend i ngjashëm mund të ketë ndodhur edhe në vende të tjera në Kosovë.
Por a sanohet kështu gjendja? A mjafton të kthehet në vend besueshmëria në proces zgjedhor?
Logjikshëm, nëse ka pasur kandidatë që janë angazhuar të vjedhin vota gjatë numërimit, çka i ka ndaluar ata që të vjedhin vota dhe të bëjnë manipulime të tjera edhe para numërimit?
Nëse pas rinumërimit del se nuk bëhet fjalë vetëm për raste të izoluara, por për një dukuri më të zgjeruar të vjedhjeve, atëherë kjo e dëmton rëndë gjithë procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
A e meritojnë vërtet të jenë deputetë ata që do të ulen në Kuvend nga ky proces zgjedhor? Çka nëse vjedhjet e kanë lënë dikë jashtë?
Ku është besueshmëria e një Kuvendi të tillë?
Uroj që pas rinumërimit të mos del se si në Prizren ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Por nëse fenomeni është i përhapur, atëherë rinumërimi nuk sjell drejtësi dhe besueshmëri në rezultatet e 28 dhjetorit.
Duhet përsëritur zgjedhjet!
Uroj të mos kemi nevojë!
