Ndërron jetë stilisti italian Valentino Garavani në moshën 93-vjeçare
Stilisti i njohur italian i modës, Valentino Garavani, i njohur në mbarë botën si Valentino, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.
Në një njoftim të publikuar në Instagram, Fondacioni “Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti” bëri të ditur se ai ka vdekur paqësisht në shtëpinë e tij në Romë, i rrethuar nga dashuria e familjes.
Sipas fondacionit, trupi i Valentinos do të vendoset për homazhe në Piazza Mignanelli më 21 dhe 22 janar. Ndërkohë, ceremonia mortore do të mbahet një ditë më pas, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve dhe Martirëve.
Valentino Garavani konsiderohet një nga figurat më ikonike të modës italiane dhe botërore, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në industrinë e modës.
