Haradinaj: Pa rinumërim të plotë nuk ka integritet zgjedhor, demokracia s’mund të bjerë pre e manipulimit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas rezultateve të rinumërimit të pjesshëm të votave të kandidatëve duke deklaruar se ky proces ka nxjerrë në pah një skemë manipulimi të votës së qytetarit me përmasa shqetësuese.
Sipas Haradinajt, procesi zgjedhor i 28 dhjetorit është tashmë i dëmtuar rëndë dhe, pas gjetjeve të deritanishme, rinumërimi i plotë i votave është i vetmi mekanizëm që mund ta rikthejë besimin dhe integritetin e zgjedhjeve.
“Rinumërimi i pjesshëm i votave po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese. Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pa rinumërim të tërësishëm nuk mund të sigurohet integriteti i tyre,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shprehur habi për, siç e quajti, mungesën e reagimit të menjëhershëm nga ana e Prokurorisë duke theksuar se demokracia nuk mund të mbetet peng i një grupi të vogël individësh që manipulojnë vullnetin e qytetarëve.
“Është e habitshme pse Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh,” ka theksuar ai.
Haradinaj ka apeluar tek të gjithë mekanizmat institucionalë që, përmes vendimeve dhe veprimeve konkrete, ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme,” ka paralajmëruar Haradinaj duke nënvizuar se mbrojtja e votës është themeli i rendit demokratik dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve të vendit. /Kosova.info/
