Selmanaj: Nga vjedhja industriale e votave në 2010, te manipulimi industrial në 2025 – rinumërimi i plotë është i domosdoshëm
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet dhe kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka reaguar ashpër lidhur me dyshimet për manipulim masiv të votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato të 28 dhjetorit 2025 duke kërkuar rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën.
Selmanaj ka rikujtuar se menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 kishte ngritur publikisht dyshime për manipulim të votave në Qendrat Komunale të Numrimit, në përfaqësitë diplomatike dhe në votat me postë. Sipas tij, kërkesa për rinumërim të përgjithshëm, e bërë bashkë me disa ish-deputetë, ishte injoruar plotësisht nga institucionet dhe subjektet politike.
“Nga injorimi institucional nga KQZ dhe mungesa e vullnetit politik për ta zbardhur të vërtetën, komisionarët morën guxim dhe e përsëritën të njëjtën situatë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025,” ka theksuar Selmanaj.
Ai ka deklaruar me bindje se ajo që po vërtetohet në komunën e Prizrenit nuk është rast i izoluar, por një dukuri që, sipas tij, ka ndodhur në gjithë Kosovën. Për këtë arsye, Selmanaj ka insistuar se rinumërimi i të gjitha kutive ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm.
“Rinumërimi në Prizren po nxjerr të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve, të të gjitha partive politike pa përjashtim, u janë prekur apo ndryshuar votat. Dallimet janë të mëdha për disa dhe më të vogla për të tjerët, por askush nuk i ka shpëtuar abuzimit,” ka deklaruar ai.
Sipas Selmanajt, këto të dhëna ngrenë dyshime serioze për një skenar të mirëorganizuar të abuzimit masiv të votave, i cili ka përfshirë të gjitha partitë dhe kandidatët, me qëllim që manipulimi të balancohet dhe të mos identifikohet lehtë si problem sistemik.
Ai ka bërë të ditur se as lista e kandidatëve të LDK-së nuk i ka shpëtuar këtij skenari, përfshirë edhe vetë atë si kandidat për deputet. Selmanaj është distancuar qartë nga çdo individ që, sipas tij, ka guxuar të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit.
“Si kandidat për deputet dhe si kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të manipulojë votën e qytetarëve,” ka theksuar ai duke shtuar se tashmë mbetet në kompetencë të organeve të drejtësisë që ta vërtetojnë këtë skenar.
Selmanaj ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për rikthimin e rregullsisë së procesit zgjedhor dhe ndëshkimin e abuzuesve.
“Vota e secilit qytetar është e shenjtë. Mbrojtja e rregullsisë së procesit zgjedhor është misioni më patriotik që sot mund t’i bëjmë vendit tonë,” ka deklaruar Selmanaj duke shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision.
Në përfundim, ai ka theksuar se rinumërimi i votave në gjithë Kosovën është e vetmja mënyrë për ta zbardhur të vërtetën dhe për ta rikthyer besimin e qytetarëve në procesin elektoral duke shprehur shpresën se institucionet nuk do ta përsërisin, siç tha ai, gabimin e bërë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. /Kosova.info/
