Rama: Prishtina nuk harron, vagoni i eksodit të vitit 1999 rikthen kujtesën kolektive

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar sot njërën nga faqet më të dhimbshme të historisë së Kosovës, përmes instalimit simbolik të vagonit Reporting House 2 në stacionin e trenit të Prishtinës – vendi nga ku nisi dëbimi masiv i qytetarëve gjatë vitit 1999.

“Aty ku nisi dëbimi, kujtesa sot merr formë”, ka theksuar Rama duke nënvizuar se ky vagon qëndron si dëshmi e gjallë e eksodit të dhunshëm dhe e vuajtjeve të mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre.

Sipas tij, Reporting House 2 nuk është vetëm një objekt simbolik, por një kujtesë e përhershme e çmimit të lirisë dhe e përgjegjësisë që shoqëria ka për ta mbrojtur të vërtetën historike.

“Prishtina nuk harron”, ka përfunduar Rama duke theksuar se ruajtja e kujtesës kolektive është detyrim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë. /Kosova.info/

Go to TOP