Ambasadori William Walker në Ulpianë: Trashëgimi me rëndësi të jashtëzakonshme historike

Ambasadori William Walker vizitoi lokalitetin arkeologjik Ulpiana Iustiniana Secunda, një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit.

Gjatë vizitës, Ambasadori u njoh nga afër me historinë dhe rëndësinë e veçantë të këtij lokaliteti, si dhe me zbulimet më të fundit arkeologjike të realizuara gjatë verës së vitit 2023, që konsiderohen ndër zbulimet më domethënëse në arkeologjinë e vendit.

Ai u informua gjithashtu për hapat konkret të ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe promovimin e këtij thesari arkeologjik, përfshirë investimet në hulumtime arkeologjike me ekspertizë ndërkombëtare, procesin e shpronësimit të pronave dhe miratimin e Planit të Menaxhimit për lokalitetin.

Gjatë vizitës, Ambasadori u shoqërua nga këshilltarja e lartë e Ministrit Çeku, Nora Arapi Krasniqi, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Institutit Arkeologjik, Zana Rama, dhe udhërrëfyesi Atdhe Prelvukaj. /Kosova.info/

Go to TOP