Mos u ktheni nga Davos pa investitor të energjisë
Shkruan: Shenoll MUHARREMI
Për besë, sot u ndal rryma përsëri në mëngjes. Edhe dje, në ora 6:30, kur nuk kishte asnjë ngarkesë. D.m.th., jemi në krizë energjetike, si zakonisht.
Vazhdimisht po e adresoj një nevojë thelbësore, duhet me fillu me i ndërtu menjëherë kapacitetet e reja se nuk ka zgjidhje tjetër. Na duhen rreth 500 MW për me dalë krejt nga kriza e thellë, ndërsa në parim na duhen 2-3 GW me i ndërtu gjatë dekadës së ardhshme nëse dëshirojmë me ndërtu ekonomi funksionale.
Ironia është që dje lexova gjatë për Davosin, Forumin Ekonomik në Zvicër që mbahet javën e ardhshme, ku Trump, liderë të BE-së, Nvidia, Microsoft, Google… kanë me qenë prezent. Me siguri edhe Kosova.
Çfarë jemi ne, shkojmë në Davos dhe ia shesim mend botës për energji? Nuk kemi energji as për me i furnizu dritat e shtëpive, e lëre më bizneset dhe ekonominë. Por “krenaria” jonë shkon aq larg sa me ju tregu të tjerëve se sa model i mirë është Kosova.
Kam mendu sa e rëndësishme kishte me qenë që të gjithë liderët kryesorë me shku në Davos javën e ardhshme dhe aty me GJETË një investitor për energji, një që mundet me investu menjëherë dhe që brenda 2 viteve me i pas kapacitetet e reja jetike për ne.
Mos me u kthy nga Davos pa e gjet së paku një investitor, ose pa i siguru premtimet e liderëve të fuqishëm që do të angazhohen seriozisht me na ndihmu me i gjet këta investitorë.
Mos shkoni në Davos me shit pallavra e me i ftu investitorët me investu kur ende nuk kemi kushte. Pa energji, mos e fto askënd me investu – nuk vjen, e pamundur është. Jo vetëm energjia, por edhe sundimi i ligjit, tregu i punës, ekosistemi, talenti, stabiliteti politik… të gjitha këto janë parakushte para se me e ftu investitorin. Investitorin nuk mundesh me rrejt, se ai i ka fitu paratë me djersë.
