Picula: Spektakli nacionalist në TV Informer dëshmi e largimit të Serbisë nga BE-ja

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka reaguar ashpër ndaj programit skandaloz të Krishtlindjeve në televizionin serb TV Informer, ku u transmetuan këngë nacionaliste dhe çetnike, në prani të figurave më të larta shtetërore të Serbisë.

Në publik janë shfaqur pamje nga studioja e këtij televizioni, ku redaktori Dragan J. Vuçiçeviç, së bashku me ministra dhe zyrtarë të lartë, këndon një këngë me përmbajtje fyese dhe nacionaliste, me tekstin: “Një grua turke u betua para xhamisë se donte vetëm një serb”. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe i dënuari për krime lufte Vojislav Šešelj, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryetarja e Kuvendit Ana Brnabiç, ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit, transmeton N1.

Skandali thellohet edhe më tej nga fakti se “argëtimi” është organizuar nga Dragan Ašanin (i njohur me emrin artistik Aška), një vrasës i dënuar. Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar se Ašanin kreu vrasje në vitin 1992 duke vrarë ish-partneren e tij 18-vjeçare në Beogradin e Ri, për çka u dënua me 11 vjet burg.

Duke komentuar këtë ngjarje, Picula tha se bëhet fjalë për një demonstrim të hapur të politikës së Serbisë së Madhe dhe për një tjetër dëshmi të largimit të Serbisë nga Bashkimi Evropian.

“Kjo nuk duhet të jetë surprizë për askënd që ndjek zhvillimet politike në Serbi. Është një demonstrim publik i gjithçkaje që e mban Serbinë të prangosur në kohën kur regjimi i Serbisë së Madhe shkaktoi luftëra dhe vuajtje të mëdha në ish-Jugosllavi”, deklaroi Picula.

I pyetur nëse Serbia e presidentit Vuçiç po largohet nga BE-ja, Picula theksoi se ky inskenim është vazhdim i kërcënimeve ndaj fqinjëve të Serbisë, përfshirë Kroacinë. Ai kujtoi edhe deklaratat e fundit të ministrit serb të Informacionit, Boris Bratina, i cili, sipas tij, ishte gjithashtu pjesë e këtij skenari.

“Në këtë skenë ishin kryetari i Parlamentit, zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Punës. Natyrisht edhe Vojislav Šešelj, figura më e përhershme e politikës së urrejtjes dhe intolerancës. Me njerëz dhe me një politikë të tillë nuk mund të ecet përpara në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Picula.

Ai shtoi se nuk është i sigurt nëse autoritetet serbe kanë vullnet të kërkojnë falje reale duke theksuar se faljet e mëparshme kanë rezultuar të përkohshme dhe pa peshë. Sipas tij, ky rast tregon qartë një kërcënim të pashprehur ndaj fqinjëve dhe ndaj forcave pro-evropiane brenda vetë Serbisë.

Në fund, Picula vlerësoi se realiteti në Serbi është shumë më i rëndë sesa perceptohet në Bruksel dhe kritikoi mungesën e një reagimi më të fortë nga institucionet evropiane.

Ndërkohë, situata është tensionuar edhe më tej pas vendimit të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, për të mos u takuar me misionin e Parlamentit Evropian që do të vizitojë Serbinë nga 22 deri më 24 janar për të vlerësuar gjendjen e demokracisë në vend. Brnabiç arsyetoi mungesën e saj me një vizitë pune në Estoni.

Ky vendim është pritur me kritika të ashpra nga opozita dhe ekspertët, të cilët vlerësojnë se një veprim i tillë dërgon një mesazh papërgjegjshmërie dhe injorimi të standardeve evropiane duke thelluar edhe më shumë distancën e Serbisë nga Bashkimi Evropian. /Kosova.info/

Go to TOP