Përplasje e ashpër Mehmetaj-Guri për Abdixhikun: Akuza për kapje dhe kundërpërgjigje nga rinia e LDK-së

Gazetari Lirim Mehmetaj ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut duke e akuzuar për dështim politik, mungesë përgjegjësie dhe për qëndrim të padrejtë në krye të partisë pas rezultatit më të dobët historik të saj në zgjedhje.

Mehmetaj ironizoi gjuhën e “depolarizimit” të Abdixhikut duke ngritur dyshime se ajo ka qenë vetëm një justifikim për të mos e sulmuar kryeministrin Albin Kurti. Ai kritikoi edhe paraqitjen e Abdixhikut në natën e zgjedhjeve, kur, sipas tij, fokusi i kryetarit të LDK-së nuk ishte përgjegjësia politike, por ankesa për kohën e munguar me familjen.

“Sjellja e tij tregon më së miri se i çfarë stofi është ky njeri. Ta çosh partinë në rezultatin më të dobët historik dhe shqetësimin kryesor ta kesh kohën e humbur me vajzat, është alarm serioz për LDK-në”, ka shkruar Mehmetaj.

Ai shkon edhe më tej duke deklaruar se LDK-ja duhet të mbrohet nga Abdixhiku, ashtu siç, sipas tij, nuk është mbrojtur më herët nga figura të tjera që janë larguar nga partia. Mehmetaj përmend dy arsye pse Abdixhiku, ndonëse kishte paralajmëruar dorëheqje, tani nuk po e jep atë:

– Sipas tij, Abdixhiku është i “kapur” nga grupe kriminale, kryesisht të ndërtimit në Prishtinë, të cilat e detyrojnë të qëndrojë.

– Ose, siç pretendon ai, Abdixhiku është që nga fillimi person i deleguar i Albin Kurtit për ta shkatërruar LDK-në.

Në shkrimin e tij, Mehmetaj thekson se Abdixhiku ka pasur një rrugë dinjitoze: dorëheqjen, mbikëqyrjen e një procesi të rregullt zgjedhor për kryetar të ri, rikthimin në Kuvend si deputet aktiv dhe ndërtimin gradual të besimit për një rikthim eventual në të ardhmen. Por, sipas tij, kjo rrugë “është terren i panjohur” për Abdixhikun.

Pas këtyre akuzave ka reaguar Paris Guri, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së, i cili ka hedhur poshtë pretendimet e Mehmetajt. Ai ka deklaruar se, nëse flitet për “grupe kriminale”, atëherë këto, sipas tij, mund të jenë vetëm strukturat e LDK-së dhe elektorati i saj.

“Janë pikërisht strukturat e LDK-së dhe elektorati i saj që po kërkojnë që Lumiri të qëndrojë”, ka theksuar Guri duke e cilësuar deklaratën e Mehmetajt si të pabazë dhe fyese për partinë.

Përplasja e hapur mes gazetarit Mehmetaj dhe përfaqësuesit të rinisë së LDK-së vjen në një moment të ndjeshëm për këtë parti, ku debatet e brendshme për lidershipin, përgjegjësinë dhe drejtimin e ardhshëm politik janë intensifikuar ndjeshëm pas humbjes zgjedhore. /Kosova.info/


Go to TOP