Konferencë në Itali për diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc: Thirrje për ndërkombëtarizimin e çështjes
Në Lugo di Ravenna, Itali, u mbajt një konferencë kushtuar diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Aktiviteti u organizua nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali, në bashkëpunim me Shoqatën “Vatra Shqiptare”, me temën “Kosova Lindore: dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”.
Gjatë konferencës u paraqit kumtesa e Refik Hasanit, Master Shkencor nga Bujanoci, e cila trajtoi statusin politik dhe juridik të kësaj krahine, pavarësisht vullnetit plebishitar të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, kryengritjes së armatosur të UÇPMB-së, si dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit. Hasani theksoi se kjo çështje kërkon me të drejtë zgjidhje dhe duhet të ngrihet, shtrohet dhe debatohet në nivel ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në kumtesën e tij u paraqitën edhe pasojat e politikave diskriminuese të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare në këtë rajon duke u ndalur në zhvillimet historike dhe aktuale në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. U evidentuan problematika të vazhdueshme si moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, spastrimi administrativ përmes pasivizimit të adresave, si dhe kufizimi i të drejtave themelore të shqiptarëve, përfshirë të drejtat individuale dhe kolektive.
Hasani theksoi se një nga sfidat kryesore të së ardhmes mbetet mbijetesa dhe ruajtja e substancës kombëtare, mbrojtja e sakrificës dhe kontributit të luftës së armatosur, si dhe ngritja e çështjes së Kosovës Lindore në nivelin më të lartë të ndërkombëtarizimit. Sipas tij, kjo krahinë përballet me sfida të shumta dhe jo të lehta, të cilat mund të përballohen vetëm përmes një qasjeje të koordinuar, të harmonizuar dhe të unifikuar.
Në kumtesë u theksua gjithashtu se kërkesat duhet të artikulohen qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme, në bashkërendim me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, të cilat duhet të ndërtojnë dhe miratojnë një qëndrim të përbashkët institucional. Po ashtu, u bë thirrje për avokim dhe lobim të fuqishëm në instancat dhe mekanizmat më të lartë të Bashkimit Evropian dhe OKB-së, pasi rajoni i banuar me shumicë shqiptare ende nuk e ka të zgjidhur statusin e tij politik dhe juridik.
Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe në forcimin e kërkesës për një qasje më aktive të faktorëve ndërkombëtarë dhe institucionalë ndaj çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. /Kosova.info/
