Haradinaj reagon pas zjarrit në Comodita, goditje për ekonominë e vendit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zjarrit që ka përfshirë objektin e kompanisë “Comodita”, duke e cilësuar këtë kompani si shembull të suksesit të prodhuesve kosovarë në tregjet evropiane dhe botërore.
Haradinaj ka theksuar se “Comodita” është një histori suksesi dhe burim jetese për qindra familje në Kosovë, ndërsa lajmin për përfshirjen e objektit nga flakët e ka quajtur tronditës për ekonominë e vendit.
Ai ka shprehur shpresën që nga zjarri të mos ketë persona të lënduar dhe ka uruar që situata të tejkalohet sa më shpejt, me sa më pak dëme materiale.
Po ashtu, Haradinaj ka falënderuar autoritetet përgjegjëse në Gjakovë, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, si dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar në shuarjen e zjarrit. /Kosova.info/
