ZRRE dhe operatorët energjetikë diskutojnë sigurinë e furnizimit me energji gjatë festave të fundvitit

Më 24.12.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë e cila tradicionalisht shoqërohet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.

Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat kryesore me të cilat përballet rrjeti energjetik gjatë festave, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit, kufizimet teknike të rrjetit, nevojën për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit, si dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë. Po ashtu, u diskutua edhe organizimi institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative që kanë në dispozicion për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese të ndërmarra për garantimin e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike. ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes duke përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave në rast të situatave të paparashikuara.

Në këtë kuadër, ZRRE u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Sipas Zyrës së Rregullatorit, kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale, kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.

ZRRE ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e afërt të situatës dhe bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit të energjisë, me qëllim garantimin e një furnizimi të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit. /Kosova.info/


Go to TOP