Besim Mulaj: Diaspora është shtylla jonë – më 28 dhjetor ta bëjmë ndryshimin bashkë me LDK-në
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, u ka drejtuar një mesazh të veçantë bashkatdhetarëve në diasporë, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të tyre në historinë, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Si djalë mërgimtari, Mulaj tha se çdo rikthim i diasporës në atdhe zgjon emocione të thella dhe kujtime të pashlyeshme nga fëmijëria, kur pritja për prindërit që vinin nga mërgimi ishte e mbushur me mall, lot gëzimi dhe përqafime që mbeten ndër më të fortat e jetës.
“Diaspora jonë sot nuk është vetëm larg atdheut. Ajo është shtylla jonë, krenaria jonë dhe zëri ynë në botë. Është forca që e ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira,” u shpreh Mulaj, duke i ftuar bashkatdhetarët të ndihen gjithmonë të mirëpritur në Kosovë, si në tokën e tyre dhe në vendin ku rrahin rrënjët dhe zemra e tyre.
Ai theksoi se 28 dhjetori është një ditë e veçantë për diasporën, një ditë kur malli, sakrifica dhe dashuria për Kosovën shndërrohen në vendim për të ardhmen e vendit. Sipas tij, përmes votës së tyre, mërgimtarët mund t’i japin Kosovës më shumë shpresë, dinjitet dhe një perspektivë më evropiane.
Mulaj nënvizoi se kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm dhe se pa të, Kosova do të ishte shumë më e varfër, jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht. Në fund, ai ftoi bashkatdhetarët që më 28 dhjetor të bëjnë ndryshimin bashkë, duke mbështetur LDK-në për ta sjellë atë në qeverisje, me qëllim që diaspora të vijë në Kosovë me më shumë gëzim, të investojë me besim dhe të ndihet krenare për vendin e saj.
Ai kandidon me numrin 79 në listën e LDK-së, ndërsa numri i subjektit është 123. /Kosova.info/
