Halil Musliu, forca e vizionit dhe vlerave njerëzore – profil profesional dhe moral për përgjegjësi shtetërore

Politika, si arti i së mundshmes dhe themel i funksionimit të shtetit, kërkon udhëheqës me vizion, integritet moral dhe aftësi profesionale. Në këtë frymë, Enver D. Halili ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për angazhimin politik të z. Halil Musliu duke e cilësuar atë si një përfaqësues të denjë të vlerave njerëzore dhe shtetformuese.

Sipas Halilit, vota është një e drejtë dhe përgjegjësi e shenjtë qytetare, e cila nuk blihet dhe nuk shitet, por ushtrohet me vetëdije për të ardhmen e shtetit, shoqërisë, familjes dhe brezave që vijnë. Ai thekson se zhvillimi i shoqërisë kërkon inteligjencë, urtësi, integritet moral dhe kompetencë profesionale, vlera këto thelbësore për avancimin e shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, kulturës dhe sportit.

Në këtë kontekst, z. Halil Musliu, inxhinier i teknologjisë dhe veprimtar i përkushtuar i partisë shtetformuese, paraqitet si një profil profesional dhe njerëzor i gatshëm për përgjegjësi institucionale. Ai vjen nga një familje intelektualësh me kontribut të njohur në jetën politike dhe kulturore të vendit duke qenë vazhdues i filozofisë politike të rugovizmit.

Rruga jetësore dhe profesionale e Musliut është formësuar në rrethana sfiduese, të cilat, sipas Halilit, kanë ndërtuar tek ai qëndrueshmëri, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike. Njëkohësisht, ai kujton se z. Halil Musliu është vëllai i z. Ramadan Musliu (i ndjerë), figurë e shquar e kritikës letrare shqiptare dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

“Kontributi i individëve me integritet nuk ka nevojë për retorikë të tepruar, sepse vlerësohet përmes veprës dhe angazhimit konkret,” thekson Halili duke shtuar se këto merita duhet të njihen dhe vlerësohen nga populli, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel kombëtar.

Në Kosovën e sotme, sipas tij, rëndësi parësore nuk ka prejardhja, por identiteti profesional dhe moral i individit, si dhe aftësia për të përfaqësuar interesin publik. Prandaj, qytetarët ftohen ta ushtrojnë të drejtën e votës me përgjegjësi dhe vetëdije duke u besuar atyre që dëshmojnë dije, përkushtim dhe aftësi për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm.

Z. Halil Musliu, i cilësuar si “poliglot i dijes njerëzore” dhe njeri i qytetërimit njerëzor, garon me numrin 73 duke synuar të japë kontribut në zhvillimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Go to TOP