AAK hap fushatën në Prishtinë: Haradinaj premton dyfishim pagash e pensionesh, rritje ekonomike dhe anëtarësim në NATO
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hapur sonte zyrtarisht në Prishtinë fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku u shpalos vizioni dhe programi qeverisës i kësaj partie.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se programi zgjedhor i partisë mbështetet në tri shtylla kryesore: rritjen e pagave dhe pensioneve, rritjen ekonomike dhe sigurinë. Ai theksoi se AAK synon përmirësimin e drejtpërdrejtë të mirëqenies së qytetarëve, përkrahjen e familjeve, pensionistëve, punëtorëve të sektorëve të ndryshëm dhe të gjitha kategorive që kanë kontribuar për vendin.
Haradinaj deklaroi se, në qeverisjen e ardhshme të AAK-së, pagat dhe pensionet do të dyfishohen, ndërsa shteti do të qëndrojë pranë qytetarëve përmes politikave sociale dhe ekonomike më të drejta.
Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e rritjes ekonomike dhe aktivizimit të potencialit ekonomik të Kosovës duke premtuar kthim të investimeve dhe politika fiskale të favorshme për bizneset.
“Shtylla e dytë e programit tonë është rritja ekonomike. Ne do ta aktivizojmë gjithë potencialin që ka Kosova për rritjen ekonomike dhe kthimin e investimeve në vend, kthimin e buxhetit të paraparë për Kosovën dhe politika fiskale të favorshme për bërjen biznes. Do t’i mbështesim bizneset e reja, do t’i mbështesim gratë në biznes dhe në gjetje pune dhe asnjëherë nuk do të ndalemi ta mbështesim fuqizimin e gruas”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se sektori privat do të ketë përkrahje të veçantë, ndërsa gratë do të fuqizohen si në sipërmarrje ashtu edhe në tregun e punës.
Duke folur për sigurinë, Haradinaj theksoi se kjo është shtylla e tretë e programit të AAK-së dhe se Kosova ka rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO.
“Siguria buron nga ne të gjithë bashkë. Institucionet tona të sigurisë, ushtria, policia dhe të gjitha institucionet e sigurisë e bëjnë sigurinë. Ne kemi mundësinë, besimin dhe rrugën e trasuar – ashtu siç e kemi bërë ushtrinë, mund të anëtarësohemi në NATO. Jemi aleatë të besueshëm dhe do të anëtarësohemi në NATO”, tha Haradinaj.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për listën e AAK-së me numër 129 duke theksuar se kjo parti ofron një alternativë të qartë për zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe siguri për Kosovën. /Kosova.info/
