Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor, Kosova merr pjesë, mungon Serbia

Kosova, në samitin e rregullt të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, merr pjesë si i vetmi vend pa status kandidati, ndonëse ka aplikuar saktësisht tri vite më parë. Mbajtja e samitit përkoi me ditën kur u paralajmërua nisja graduale e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila gjatë ditës zhvilloi takime me zyrtarë të lartë në Bruksel, e përshëndeti nisjen e heqjes së masave, ndonëse tërhoqi vërejtjen se ato kishin qenë të padrejta që në fillim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe në mungesë arriti të marrë vëmendjen në samit.

Ai, vetëm një natë më parë, bëri të ditur se refuzon të marrë pjesë në samit – ngjarjen më të rëndësishme vjetore për gjithë rajonin. Arsyet për këtë vendim mbetën të panjohura. Zyrtarët evropianë shprehën keqardhje për mungesën e tij, por theksuan se bëhej fjalë për një vendim personal.

Për presidenten Osmani, mospjesëmarrja e homologut nga Serbia nuk përbënte ndonjë mungesë të veçantë.

Në deklaratën e përbashkët, e cila pritet të miratohet në fund të samitit, riafirmohet e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian dhe u bëhet thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë mundësinë reale për zgjerim të mëtejmë.

Përmendet mungesa e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila, siç thuhet, vazhdon t’i pengojë të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane. Nënvizohet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksi i dakorduar në Ohër.

“Mbështetja në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të BE-së, e cila mbështetet edhe nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti i radhës pritet të mbahet në Podgoricë, në Mal të Zi, në qershor të vitit të ardhshëm.


Go to TOP