Baraliu: Vetëm 6% e votuesve të pavendosur – Kosova rrezikon ngërç politik pas zgjedhjeve
Analisti Bleron Baraliu, ka publikuar një analizë të gjerë të opinionit elektoral në vend, të bazuar në rreth 20 mijë respondente online dhe modele të avancuara tranzicionale të ndërtuara ndër vite. Sipas tij, situata elektorale në Kosovë paraqitet “mjaft e rëndë”, me potencial real për një ngërç të ri politik pas zgjedhjeve.
Baraliu thekson se vetëm 6% e qytetarëve mbeten të pavendosur duke lënë pak hapësirë për ndryshime të mëdha gjatë dy javëve të fundit të fushatës. “Nëse kaq pak kanë ndryshuar gjërat nga 9 shkurti deri më tash, çfarë mund të presim për 16 ditët e ardhshme?”, pyet ai.
Sipas të dhënave të analizës: 29% mbështesin një koalicion me VV-në, 33.5% preferojnë një koalicion PDK–LDK–AAK, 37.3% janë kundër çdo koalicioni.
Në këtë kontekst, Baraliu paralajmëron se raporti mes blloqeve politike mbetet i ngurtë dhe nuk ofron zgjidhje të qartë qeverisëse.
Ai gjithashtu thekson se zhvillimi ekonomik është çështja kryesore për votuesit, e ndjekur nga situata në veri dhe bllokadat në Kuvend. Ndërkohë, arsimi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë shihen si më pak prioritarë nga pjesëmarrësit në sondim.
Interesante mbetet fakti se rreth 30% e respondentëve shprehin dëshirë për një alternativë të re politike, çka sipas Baraliut tregon refuzimin e freskimit “kozmetik” të listave të partive të mëdha. “Votuesit duan dhe meritojnë ndryshim, por në një sistem kartel politik të pozicion-opozitës së bashkuar, është e vështirë të organizohet një alternativë që mund të bëjë rezistencë serioze”, thekson ai.
Baraliu njoftoi se matjet e ardhshme do t’i kryejë në javën e fundit të fushatës, ndërsa rezultatet përfundimtare do t’i publikojë natën e zgjedhjeve, së bashku me një analizë të detajuar në bashkëpunim me Leart Ajvazajn. /Kosova.info/
