Krasniqi prezanton listën e PDK-së: Ekip i fortë, i bashkuar dhe gati t’i shërbejë Kosovës
Ish Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të datës 28 dhjetor duke e cilësuar atë si një pasqyrë të qartë të vlerave, profesionalizmit dhe përkushtimit të partisë.
Në deklarimin e tij, Krasniqi theksoi se kandidatët e kësaj liste përfaqësojnë njerëz të ndershëm, të aftë dhe të gatshëm të kontribuojnë me përgjegjësi dhe integritet për vendin. Sipas tij, secili kandidat sjell me vete përvojë, energji dhe besim duke e bërë këtë listë një kombinim të balancuar të kompetencës dhe përkushtimit publik.
Në krye të listës qëndron Bedri Hamza, të cilin Krasniqi e përshkroi si njeriun që mishëron “përvojën, qetësinë dhe vizionin e Kryeministrit që i duhet Kosovës”. Ai nënvizoi se Hamza është figura që simbolizon profesionalizëm dhe stabilitet, cilësi që, sipas tij, i duhen vendit në këtë fazë vendimtare.
Krasniqi theksoi se PDK hyn në këtë garë zgjedhore e bashkuar, e përgatitur dhe me ambicie të qarta për t’i ofruar Kosovës një të ardhme më të mirë. Ai shprehu bindjen se ekipi i PDK-së i ka të gjitha kapacitetet për të qenë alternativë serioze dhe për ta udhëhequr vendin drejt zhvillimit dhe stabilitetit.
Mesazhi i tij u mbyll me moton e fushatës: #PDK130, që simbolizon energjinë dhe gatishmërinë e partisë për garën që i pret. /Kosova.info/
