Policia e Kosovës dhe Frontex sjellin gëzim për fëmijët me Sindromë Down në Aeroportin e Prishtinës
Atmosferë festive dhe emocione të veçanta u krijuan sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku zyrtarët policorë së bashku me zyrtarët e Frontex-it të akredituar në aeroport organizuan një aktivitet humanitar për fëmijët me Sindromë Down. Fëmijët u pritën me ngrohtësi dhe dashuri, ndërsa atyre iu shpërndanë dhurata që sollën buzëqeshje dhe gëzim në këtë ditë të veçantë.
Iniciativa u nis nga zyrtarët e Frontex-it, të cilës iu bashkuan me përkushtim edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës duke treguar shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe humanizmit. Qëllimi ishte që fëmijët të ndiheshin të vlerësuar, të përqafuar dhe të përjetonin atmosferën festive përpara fundvitit.
Organizatorët theksuan se aktivitete të tilla jo vetëm sjellin gëzim te fëmijët, por edhe forcojnë lidhjet mes institucioneve që veprojnë në aeroport duke krijuar një ambient më të ngrohtë dhe më miqësor për komunitetin.
Ky gjest human i Policisë së Kosovës dhe Frontex-it u vlerësua lart nga prindërit dhe shoqatat mbështetëse, të cilët falënderuan të dy institucionet për vëmendjen dhe kujdesin e treguar ndaj fëmijëve me Sindromë Down duke e bërë këtë ditë të paharrueshme për ta. /Kosova.info/
