Kabashi reagon ndaj Kurteshit: Sulm brutal ndaj AGK-së, cenim i rëndë i lirisë së medias

Zyrtari i LDK-së, Festim Kabashi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të anëtarit të KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, i cili një ditë më parë e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe disa media “vrasës me pagesë”.

Kabashi e ka cilësuar këtë reagim të Kurteshit si sulm brutal, të ulët dhe të papranueshëm duke theksuar se AGK është organizata më kredibile që përfaqëson qindra gazetarë në Kosovë. Sipas tij, sulmi ndaj AGK-së është njëkohësisht sulm ndaj lirisë së medias, një prej shtyllave themelore të një demokracie funksionale.

“Sulmi ndaj AGK-së nënkupton sulm ndaj qindra gazetarëve që përfaqësohen nga ky Asociacion, rrjedhimisht cenim serioz ndaj lirisë së medias”, ka deklaruar Kabashi duke shtuar se retorika e tillë paraqet “alarm se Kosova vitin tjetër do të renditet edhe më keq në raportet ndërkombëtare”.

Ai kujtoi se mediat që sot po etiketohen nga Kurteshi si “vrasës me pagesë” janë të njëjtat media që dikur zbuluan skandale të rëndësishme, të cilat Vetëvendosja i shndërroi në kauza politike sa ishte në opozitë.

“Sot nuk kanë ndërruar mediat, por kanë ndërruar interesat e Vetëvendosjes”, ka theksuar Kabashi duke e konsideruar këtë qasje si hipokrizi dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj transparencës dhe rolit kritik të mediave në shoqëri. /Kosova.info/


Go to TOP