Rashiti: LDK e PDK nuk e kuptojnë terrenin në Zvicër; diaspora po ndikohet nga partneriteti LVV–Partia Socialiste

Korab Rashiti, politikan shqiptar në Zvicër, ka kritikuar ashpër partitë tradicionale kosovare duke thënë se LDK, PDK dhe subjektet e tjera nuk e kanë kuptuar realitetin politik të diasporës në Zvicër. Sipas tij, terreni politik atje ka ndryshuar rrënjësisht dhe ndikimi mbi votën e mërgatës nuk është më aq i thjeshtë sa mendohet në Prishtinë.

Rashiti thotë se diaspora shqiptare në Zvicër tashmë po ndikohet fuqishëm nga një “shpëlarje truri”, siç e quan ai, përmes partneritetit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialiste të Zvicrës. Ai thekson se sindikatat zvicerane, të lidhura me socialistët, orienton votën brenda komuniteteve profesionale, gjë që indirekt favorizon LVV-në dhe “grupin” që sillet rreth Ambasadës së Kosovës në Bernë.

Sipas Rashitit, lidhjet mes Partisë Socialiste të Zvicrës dhe Vetëvendosjes “duken prej kilometrash larg”, ndërsa partitë tradicionale kosovare po humbasin terren, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit me subjektet e djathta zvicerane, të cilat dominojnë qeverisjen federale që nga viti 1848.

Ai paralajmëron se moskuptimi i këtij realiteti po i kushton rëndë partive si LDK dhe PDK, të cilat, sipas tij, “nuk po e kuptojnë as çka po ndodh në Zvicër, as pasojat elektorale që kjo ka në Kosovë”. /Kosova.info/

Go to TOP