Rruga e Brodit pa operator ekonomik për mirëmbajtje
Rruga Dragash–Brod ka disa ditë që nuk po mirëmbahet. Banorët ankohen për neglizhencë të institucioneve për ta mbajtur të qarkullueshme këtë rrugë të fshatit më të thellë malor të komunës së Dragashit. Për këtë rrugë ende nuk është përzgjedhur një operator ekonomik nga Ministria e Infrastrukturës.
15 kilometra rrugë e ndajnë Brodin nga Dragashi, por në kohë me mot të keq paraqet mjaft probleme për banorët e kësaj ane, për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave. Duke qenë se bëhet fjalë për një vend malor dhe gjithashtu turistik, banorët thonë se qarkullimi në këtë rrugë duhet të mbahet nën kontroll të rregullt.
“Qe 10 ditë e kemi këtë problem. Kur ka ra shi, askush nuk ka ardhur me pastrua. Vetë kemi pastrua pak, vetëm sa me kalua për Dragash. Kemi nevojë me shkua për Dragash”, tha për RTK, Feriz Kopaqi, banor.
“Jemi duke u ballafaquar me probleme infrastrukture. Rruga është rregulluar, por në shumë vende ka shembje. Zyrtarët vijnë e pastrojnë vetëm pas thirrjes së qytetarëve, nuk vijnë me vetiniciativë. Për këtë do të duhej të ishte i angazhuar të paktën një punëtor në fshat, për kontroll ose intervenime”, tha Elmedin Haruni, banor i Brodit.
“Rruga dëmtohet kur ka reshje shiu ose bore. Nëse vijnë për ta pastruar rrugën, është në rregull, por përndryshe nuk ka kush ta pastrojë. Ka qenë e bllokuar, pastaj kanë ardhur e e kanë pastruar pak, por tani duhet përsëri të pastrohet”, tha Isak Xhafç, banor i Brodit.
Asamblisti i Komunës së Dragashit, Usmen Ballxhi, që vjen nga ky fshat, thotë se rruga është nacionale dhe duhet të mirëmbahet nga Ministria e Infrastrukturës. Por, sipas tij, deri më tani ende nuk ka një operator ekonomik të përzgjedhur për mirëmbajtje.
“Në mungesë të firmës, ekipi i zjarrfikësve dhe një kompani private kanë dalë e kanë pastruar rrugën, por kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhja është që ministria të vazhdojë kontratën ose të përzgjedhë kryesin e punimeve që të na pastrojë rrugët rajonale për Restelicë, Brod e Zaplluxhë”, tha ai.
Brodi është njëri ndër fshatrat më të thellë malorë dhe reshjet e borës janë të shumta në dimër, prandaj, siç nënvizon Ballxhi, kërkohet zgjidhje urgjente.
I kontaktuar nga RTK-ja, menaxheri i mirëmbajtjes së rrugëve në këtë zonë tha se deri më tani kanë pasur probleme me përzgjedhjen e operatorit ekonomik, por siç u shpreh ai, ky problem pritet të zgjidhet brenda pak ditësh.
