Gjykata në Beograd cakton 30 ditë paraburgim për ish-pjesëtarin e UÇK-së Avni Qenaj
Ish-pjesëtarit të UÇK-së shtetasit të Kosovës Avni Qenaj pa asnjë prove të vetme Gjykata në Beograd ia ka caktuar një muaj paraburgim, ka bërë të ditur sot avokati Xhevdet Smakiqi.
Ai ka thënë se familja Qenaj në këto ditë festive kombëtare gjendet nën ankth dhe ka mbetur pa mbështetjen e shtetit që ka luftuar dhe po detyrohet vetë të luftojë përmes angazhimit privat me avokatët e saj të përmbushë të drejtat ligjore lirinë e lëvizjes edhe për familjarin e saj.
“Pafajësia e Avni Qenaj do të triumfojë por çfarë kuptimi ka ekzistenca e shtetit e Qeverisë së Kosovës kur dështon në secilën fushë. Liri për Avni Qenaj dhe gëzuar 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit që po mbahet i kidnapuar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, shkruan Smakiqi në një postim në Facebook.
Avni Qenaj nga Romaja e Prizrenit u arrestua para katër ditësh. Ai ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Dyshohet se ai u arrestua pasi i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.
Ministria për Punë të Brendshme të Serbisë tha më 25 nëntor se është arrestuar një ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet A.Q.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës. /Kosova.info/
