Abdixhiku mobilizon strukturat në Prizren: LDK po bëhet forcë e shpresës, qyteti flet kulturë e histori
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim me strukturat e partisë në Prizren, ndërsa më pas ka realizuar edhe një shëtitje në qytetin historik, të cilin e vlerësoi si burim të përhershëm frymëzimi dhe energjie.
Abdixhiku u shpreh mirënjohës për pritjen e ngrohtë nga anëtarësia lokale dhe tha se mobilizimi i ditëve të fundit po e kthen LDK-në në “forcën e shpresës” për vendin.
“Sot pashë gjallërinë e një qyteti që flet kulturë e histori; një qyteti që e di rrugën e vet,” u shpreh ai duke theksuar se Prizreni mbetet shembull i traditës dhe vitalitetit qytetar.
Kryetari i LDK-së tha se mbi gjithçka, vuri re gatishmërinë e njerëzve për t’u bashkuar dhe për ta çuar përpara një qeverisje dinjitoze për Kosovën. Ai theksoi se mobilizimi do të vazhdojë deri në “festën e dhjetorit”, ku LDK synon të konkretizojë rritjen e saj politike.
Abdixhiku e mbylli vizitën me falënderime për anëtarët dhe qytetarët që po kontribuojnë në fuqizimin e partisë në gjithë vendin. /Kosova.info/
