Mehmetaj: Përparim Rama po i fiton publikisht Muratin e Kurtin sepse po e thotë të vërtetën
Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, ministri i Financave Hekuran Murati dhe kryeministri Albin Kurti po e shmangin një ballafaqim publik me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Në një shënim të publikuar, Mehmetaj thotë se Rama po e fiton betejën me opinionin publik jo përmes strategjive komunikimi, por përmes sinqeritetit dhe deklarimeve të drejtpërdrejta.
“Qiti paret minister, menjëherë… Pse Përparim Rama po i fiton në publik Hekuran Muratin edhe Albin Kurtin? Pse ata s’po guxojnë as me u taku me të? Pse s’po munden me ballafaqu publikisht?” shkruan Mehmetaj duke shtuar se kreu i Komunës së Prishtinës po del më bindës në debatet që lidhen me financimin dhe funksionimin e projekteve në kryeqytet.
Sipas tij, Rama po shfaqet më i hapur dhe më transparent në raport me qytetarët, ndaj edhe çdo çështje publike po e kthen në avantazh politik. “Përparim Rama nuk po përdor strategji për marrëdhëniet me publikun. Thjesht, po e thotë të vërtetën. E vërteta nuk kërkon strategji, mjafton me u thanë – pa hezitim, pa kalkulim,” shkruan më tej gazetari.
Ai shton se për këtë arsye, Rama “ka me ua fitu çdo debat publik, çdo ballafaqim, çdo përplasje” duke ironizuar që përballë tij kundërshtarët politikë “i ka struke si zogjtë, s’po guxojnë me i bo cik”. /Kosova.info/
