Cakolli: Seanca e jashtëzakonshme e KK Prishtinë më 27 nëntor është e paligjshme dhe pa legjitimitet

Eugen Cakolli ka reaguar pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila pritet të mbahet më 27 nëntor duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe në kundërshtim me parimet demokratike. Sipas tij, kjo seancë është po aq – në disa raste edhe më shumë – joligjore se seanca e fundit e thirrur në Kuvendin e Kosovës, ku ishte paraparë votimi i buxheteve dhe pikave të tjera të rëndësishme.

Cakolli thekson se institucionet që tashmë nuk e gëzojnë më legjitimitetin e plotë dhe që nuk e ndjekin rendin logjik institucional, nuk mund të marrin vendime që krijojnë pasoja apo obligime financiare dhe politike për institucionet që do t’i pasojnë.

Ai shton se nuk është as e logjikshme, e lëre më e ligjshme, që një legjislaturë e cila praktikisht e ka përfunduar mandatin e saj të marrë vendime që do të kenë ndikim direkt në mandatin e ri, i cili zyrtarisht nis pas pak ditësh.

“Rolet dhe qëndrimet politike mund të ndryshojnë, por parimet jo”, përfundon Cakolli duke nënvizuar se respektimi i procedurave, legjitimitetit dhe parimit demokratik është themelor për funksionimin korrekt të institucioneve lokale. /Kosova.info/

Go to TOP