Ahmeti paralajmëron ditë të vështirë për Prishtinën: Nesër nuk ka transport publik
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar për një ndërprerje të transportit publik në kryeqytet duke e cilësuar situatën si “ditë e dhimbshme” për qytetarët.
Ahmeti rikujtoi se gjatë mandatit të tij, Trafiku Urban u mor me 1.5 milionë euro borxhe dhe dy vjet paga të papaguara. Ai shpjegoi se procesi i rikuperimit të institucionit ishte zvarritur nga qeveria e udhëhequr nga LDK, për shkak të nevojës për votimin e garancionit të sovranitetit në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ai theksoi se ishin siguruar 10 milion euro kredi nga BERZH për blerjen e autobusëve.
“Gjatë asaj kohe, përkundër kundërshtimeve, kam takuar vetëm pesë herë Avdullah Hotin dhe kam kërkuar nga shefi i grupit parlamentar të VV që të votoheshin marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm që të mund të siguroheshin autobusët. Politika është kompromis, sidomos kur në pyetje është interesi qytetar,” tha Ahmeti.
Ai paralajmëroi se përveç mungesës së transportit publik, ditët në vijim mund të sjellin mungesë energjie në shkolla dhe çerdhe duke bërë thirrje për takime dhe ndërmjetësime për të ruajtur funksionimin e institucioneve vitale.
“Postet vijnë e shkojnë, zgjedhje do të ketë edhe të tjera, por të këqijat mbeten në ndërgjegje dhe histori. Takonu!” përfundoi ish-kryetari.
Në sfond, qytetarët e Prishtinës përballen me sfida praktike që kërkojnë koordinim urgjent midis pushtetit lokal dhe qendror për sigurimin e shërbimeve bazë. /Kosova.info/
