AUV asgjëson lotin e trangujve të kontaminuar me Chlorpyrifos në Mamushë: Produkti nuk ka hyrë në tregun e Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka bërë të ditur se, përmes sistemit evropian të alarmimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e mbetjeve të pesticidit Chlorpyrifos në tranguj të përpunuar në Mamushë dhe të destinuar për eksport në Slloveni.

Në momentin e pranimit të sinjalizimit, AUV ka ndërmarrë menjëherë masat për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve duke identifikuar dhe bllokuar produktin e prekur, si dhe duke koordinuar veprimet me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, sipas procedurave të sistemit RASFF.

Nga verifikimet e kryera, është konstatuar se loti nr. 090827, në sasinë totale prej 2934,70 kilogramësh tranguj të prerë dhe të konservuar, ishte i dedikuar për tregun slloven. Ky lot është asgjësuar në tërësi në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe palës përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

AUV siguron qytetarët se ky produkt nuk ka hyrë në tregun e Kosovës dhe se situata është plotësisht nën kontroll duke garantuar se nuk paraqitet asnjë rrezik për konsumatorët vendas. /Kosova.info/


Go to TOP