Trafiku Urban në prag të pezullimit: Bllokimi financiar nga Qeveria rrezikon transportin publik në Prishtinë

N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. ka paralajmëruar se nga java e ardhshme shërbimi i transportit publik në kryeqytet rrezikon të pezullohet tërësisht, për shkak të pamundësive financiare të shkaktuara nga bllokimi i mjeteve buxhetore.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, situata është rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Financave, çka ka penguar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet financiare ndaj “Trafikut Urban”. Si pasojë, ndërmarrja po përballet me vështirësi të thella operative, me ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë për të mbajtur në funksion transportin publik.

Edhe pse “Trafiku Urban” ka bilanc pozitiv dhe performancë të qëndrueshme, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset teknike të brendshme duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin normal.

Ndërmarrja thekson se mbetet e përkushtuar ndaj ofrimit të shërbimit publik, por apelon për një zgjidhje të menjëhershme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit për rreth 60 mijë qytetarë që e përdorin këtë shërbim çdo ditë. /Kosova.info/


Go to TOP