KOMF dënon rastin në Graçanicë: Fëmijës po i mohohet e drejta për arsim, kërkohet ndërhyrje urgjente institucionale
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë pas raportimeve se një fëmije të ciklit fillor në Komunën e Graçanicës po i mohohet e drejta për të vijuar arsimin nga menaxhmenti i shkollës. Sipas deklaratës së nënës, fëmija nuk po lejohet të ndjekë mësimin për shkak se familjes së tij i është ndërtuar një shtëpi e re nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
KOMF thekson se nëse këto pretendime vërtetohen, situata përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe bie ndesh me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligjin kundër Diskriminimit. Këto akte ligjore garantojnë të drejtën e çdo fëmije për arsimim pa asnjë formë diskriminimi.
Për këtë arsye, KOMF ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente. Organizata ka bërë thirrje që:
Institucionet komunale të ndërhyjnë urgjent për të garantuar vijimin e fëmijës në shkollë;
Mekanizmat e mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht Qendra për Punë Sociale, të angazhohen në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjes së nevojshme për fëmijën dhe familjen;
Institucionet e drejtësisë të nisin hetimet për rastin dhe, nëse konstatohen shkelje ligjore, të mbajnë përgjegjës çdo autoritet apo person që ka cenuar të drejtën e fëmijës për arsim.
KOMF ka theksuar se fëmijët nuk mund të mbahen peng të konflikteve apo të përdoren si mjet presioni në asnjë rrethanë.
Organizatat anëtare të KOMF, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur fëmijën dhe familjen në këtë situatë. Ndërkohë, KOMF njofton se do të vazhdojë të monitorojë nga afër ecurinë e rastit dhe veprimet institucionale deri në garantimin e plotë të së drejtës së fëmijës për arsim. /Kosova.info/
