Rama akuzon Muratin: Shihem në Prokurori – po shantazhoni qytetarët me buxhetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të Kryeqytetit dhe përdorim politik të institucioneve shtetërore.
Rama deklaroi se Murati do të duhet të japë llogari para Prokurorisë për veprimet e tij duke shtuar se shpreson që ministri të jetë më bashkëpunues me drejtësinë sesa, siç tha ai, “kryetari i partisë së tij, i cili prej një viti nuk po u përgjigjet thirrjeve zyrtare të Prokurorisë”.
Sipas Ramës, bllokimi i buxhetit po i dëmton drejtpërdrejt punëtorët e komunës dhe qytetarët e Prishtinës, të cilët rrezikojnë të mbesin pa paga dhe pa shërbime esenciale. Ai e akuzoi ministrin Murati për shantazh politik ndaj opozitës përmes mjeteve financiare.
“Punëtorët dhe qytetarët e Kryeqytetit nuk duhet të mbesin peng i politikave tuaja. Buxheti nuk është armë politike,” theksoi Rama. /Kosova.info/
