Çitaku: Kjo s’është betejë për pushtet, por për demokracinë – fitorja në Mitrovicë ishte pa nder
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas zhvillimeve zgjedhore në Mitrovicë duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorime dhe manipulime gjatë procesit të votimit.
“Ndonëse fushata në Mitrovicë ka qenë jashtëzakonisht e pabarabartë, ndonëse VV nuk la instrument shtetëror pa keqpërdorur, ndonëse kemi pasur dyshimet tona për keqpërdorime, ndonëse nuk lanë qytetar pa intimiduar e as presion pa ushtruar, qysh në natën e parë PDK dhe kandidati ynë Arian Tahiri ia uruan fitoren kundërkandidatit,” ka deklaruar Çitaku.
Ajo shtoi se, megjithëse PDK pranoi rezultatin fillestar, më vonë u vërtetua se dyshimet për manipulim kishin bazë reale. “Por kur komisionerët tanë evidentuan qartë manipulime me fletëvotime, dyshimet tona u vërtetuan,” theksoi Çitaku.
Sipas saj, kjo nuk është një garë për pushtet apo për një komunë të vetme, por një përballje për mbrojtjen e demokracisë dhe të vullnetit qytetar. “Kjo nuk është një betejë për pushtet. As për një komunë më shumë apo më pak. Kjo është betejë për demokracinë. Për mbrojtjen e vullnetit qytetar nga deformimet dhe manipulimet. Kaq e thjeshtë është,” përfundoi Çitaku. /Kosova.info/
