Yamal largohet nga Kombëtarja pas përplasjes mes Barcelonës dhe Federatës

Lamine Yamal nuk do të luajë për Spanjën në dy ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026 kundër Gjeorgjisë dhe Turqisë, pasi është tërhequr nga lista për shkak të një trajtimi mjekësor që kërkon pushim prej shtatë deri në dhjetë ditë.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona ka kryer një procedurë mjekësore me lojtarin pa njoftuar më parë stafin mjekësor të Federatës së Futbollit të Spanjës, ndonëse ka qenë e ditur që Yamal do t’i bashkohej kombëtares. Kjo ka shkaktuar një përplasje mes klubit dhe përzgjedhësit Luis de la Fuente, duke e kthyer çështjen në një përplasje serioze mes klubit katalanas dhe federatës.

Federata ka njoftuar se e ka marrë vesh vetëm disa orë para nisjes së grumbullimit se lojtari i Barcelonës kishte kryer një procedurë për të trajtuar dhimbjet. Në raportin mjekësor, të cilin Federata e ka pranuar mbrëmjen e të njëjtës ditë, rekomandohej pushim për të paktën një javë.

Në një komunikatë zyrtare, Federata e ka shprehur habinë dhe shqetësimin për mënyrën si është vepruar nga Barcelona, duke theksuar se vendimi për ta liruar lojtarin është marrë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tij.

Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh që Yamal tërhiqet nga kombëtarja. 


Go to TOP