IPK shyrton ankesën për reagimin policor në QKN në Mitrovicë të Jugut

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), bënë të ditur se ka nisur hetimet paraprake pas pranimit të një ankese dhe informacioneve lidhur me reagimin policor në Qendrën Komunale të Numërimit të votave (QKN) në Mitrovicën e Jugut.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e IPK-së kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore për të verifikuar pretendimet se disa zyrtarë policorë mund të kenë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent.

“Veprimet janë ndërmarrë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, duke pasur parasysh edhe aspektin e pavarësisë operacionale të policisë”, thuhet në komunikatë.

Nga të dhënat fillestare të siguruara deri më tani, IPK dyshon se disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të Policisë së Kosovës për procesin zgjedhor nuk janë përfillur gjatë reagimit të zyrtarëve në Qendrën e Numërimit.

Institucioni ka theksuar se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe në konsultim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me qëllim që të sqarohen plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Go to TOP