Kica Xhelili: Fitorja e LDK-së është kthesë, jo thjesht politikë – Ata kishin shtetin, ne zemrat e njerëzve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa R. Kica, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore duke theksuar se suksesi i partisë së saj përfaqëson më shumë se një fitore politike – një kthesë besimi qytetar.

Në një postim të saj, Kica kujtoi se në zgjedhjet e kaluara LDK kishte shtuar 70 mijë vota në nivel nacional, por ishte cilësuar si forcë e tretë, ndërsa tani, edhe pse ka dalë e para, kundërshtarët po përpiqen të minimizojnë rezultatin.

“Kur shtuam 70 mijë vota në nivel nacional, na thanë: ‘Po prap jeni në vend të tretë’. Tani, kur jemi të parët, me Kryeqytetin në qendër të këtij besimi, po thonë: s’ka vlerë vendi i parë, por krahasimi me 2021,” ka shkruar ajo.

Kica tha se kundërshtarët politikë nuk kanë problem me matjen e rezultateve, por me faktin se LDK është në rritje të qëndrueshme, pavarësisht pabarazive të fushatës.

“Në një territor plotësisht të pabarabartë, ata kishin gjithë shtetin, e ne zemrat e njerëzve. Ata i ruanin nga 7 truproje, neve dashnia e aktivistëve. Ata kërcënonin natën, ne lobonim ditën,” theksoi ajo.

Deputetja e LDK-së e përshkroi fushatën si të qetë, të ndershme dhe të përbërë nga njerëz të zakonshëm duke e cilësuar këtë si arsyen e suksesit të partisë.

Në përmbyllje, ajo u bëri thirrje kundërshtarëve politikë që të pranojnë realitetin e ri dhe të shmangin mllefin ndaj rezultatit zgjedhor.

“E kur populli vendos të besojë në diçka që s’e sheh askund tjetër, ajo s’është veç politikë, është kthesë. E derisa disa që s’e pranojnë kurrsesi triumfin e LDK-së të qetësohen, i bëjmë thirrje nga Prishtina dhe 6 komuna tjera: shërojeni këtë mllef e vner se s’ju bënë nder! Ne na gjeni këtu ✌🏼,” përfundon reagimi i saj. /Kosova.info/

Go to TOP