Shehu: Juniku ndëshkoi shpifjet me votë – kjo është fitorja më madhështore dhe historike
Kryetari aktual dhe kandidati fitues për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka falënderuar qytetarët për besimin dhe përkrahjen e dhënë në zgjedhjet e balotazhit duke e cilësuar rezultatin si një fitore të madhe dhe historike për Junikun.
Në një reagim të bërë pas shpalljes së rezultateve, Shehu ka theksuar se qytetarët e Junikut kanë treguar edhe një herë fisnikëri, vendosmëri dhe vlera të larta njerëzore.
“Ju faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj. Junikasit sot me vendosmëri e konfirmuan fisnikërinë dhe vlerat e larta njerëzore,” ka shkruar ai.
Shehu u shpreh se Juniku e ka ndëshkuar me votë shpifjen, ofendimin dhe kërcënimin duke theksuar se kjo është arsyeja pse fitorja e këtij viti është kaq e veçantë dhe domethënëse.
“Shpifjet, ofendimet dhe kërcënimet, Juniku sot i ka ndëshkuar me votë. Prandaj kjo fitore sot është kaq madhështore dhe historike, si asnjëherë më parë,” ka deklaruar ai.
Në fund, kryetari i rizgjedhur ka shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarët dhe mërgatën junikase për mbështetjen e tyre duke theksuar se fitorja u takon të gjithëve.
“Faleminderit Junikas, faleminderit Mërgatë. Urime Juniku im. Zoti e bekoftë Junikun dhe junikasit. Rroftë Lidhja Demokratike e Kosovës,” ka përfunduar Shehu duke shtuar me krenari se “në Junik komandanta janë vet junikasit.” /Kosova.info/
