Osmanaj kundër deklaratës ofenduese të Zafir Berishës ndaj Hasjanëve
Me shqetësim të madh, Shaban Osmanaj, mjek dhe kandidat i LDK-së për deputet, ka reaguar ndaj deklaratës së z. Zafir Berisha, i cili mbrëmë përdori termin pezhorativ “Furraxhi” për qytetarët e Hasit.
Osmanaj thekson se kjo gjuhë denigruese është e papranueshme dhe ofenduese, jo vetëm për banorët e Hasit, por për të gjithë ata që e respektojnë dinjitetin, punën dhe vlerat e njeriut. “Hasjanët janë të njohur për punën, ndershmërinë dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në Kosovë e më gjerë. Përdorimi i gjuhës fyese ndaj tyre nuk përçon asnjë mesazh politik apo shoqëror – përkundrazi, përçon përçarje dhe nxit paragjykime që nuk i shërbejnë askujt”, tha Osmanaj.
Ai i bën thirrje z. Berisha që të reflektojë dhe të kërkojë ndjesë publike për fjalorin e përdorur. Osmanaj shton se debati publik dhe politik duhet të zhvillohet mbi bazën e respektit, argumentit dhe kulturës demokratike – jo me ofendime ndaj krahinave apo komuniteteve të caktuara.
“Respekt për Hasin dhe për çdo qytetar që punon me djersën dhe mundin e tij”, përfundon Osmanaj. /Kosova.info/
