OEAK kritikon Qeverinë në detyrë: Miratimi i buxhetit 2026 dhe rritja e pagës minimale rrezikojnë stabilitetin fiskal të Kosovës
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në një reagim zyrtar, Oda Amerikane ka theksuar se vendimet që ndikojnë në politikat fiskale dhe ekonomike duhet të merren vetëm nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik. Sipas saj, legjislacioni në fuqi kufizon qeverinë në detyrë që të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme duke përjashtuar ndërmarrjen e masave të reja që krijojnë detyrime afatgjata për financat publike.
Sa i përket vendimit për rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro, që pritet të zbatohet në dy faza gjatë vitit 2026, Oda Amerikane thekson se përmirësimi i kushteve të punës dhe të ardhurave është një qëllim legjitim, por kërkon që çdo hap i tillë të bazohet në analiza të tregut të punës, produktivitetit dhe kapaciteteve të sektorit privat.
“Vendime të tilla, pa analiza të mjaftueshme, mund të rrezikojnë stabilitetin e tregut të punës dhe të krijojnë pasiguri për komunitetin e biznesit,” thuhet në reagimin e Odës.
Ky institucion paralajmëron se politikat e reja të shpenzimeve publike, të miratuara në këtë fazë, mund të cenojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, të rrisin ngarkesën buxhetore për vitet e ardhshme dhe të çrregullojnë tregun e punës duke ndikuar në pritshmëritë për paga më të larta në sektorin privat. Një situatë e tillë, sipas Odës, mund të kufizojë hapësirën fiskale për investime kapitale dhe politika zhvillimore.
“Në vend që të merren vendime me pasoja fiskale, të gjitha forcat politike duhet të përqendrojnë përpjekjet në formimin e një qeverie legjitime që reflekton funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës,” thekson më tej reagimi.
Në përfundim, Oda Amerikane bën thirrje për përmbajtje institucionale dhe respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe ligjore duke nënvizuar se çdo veprim jashtë kufizimeve ligjore të një qeverie kujdestare mund të rrezikojë vlefshmërinë e akteve të miratuara dhe besimin në institucionet publike.
“Stabiliteti institucional, qeverisja e mirë dhe respektimi i legjitimitetit demokratik janë parakushte për një ekonomi të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese,” përfundon reagimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. /Kosova.info/
